I pandehuri Petrit Qoli është marrë në pyetje nga SPAK në kuadër të hetimeve për çështjen e njohur si “Plumbi i Artë”, ndërkohë që ai akuzohet për përfshirje në vrasjen e Fatmira Dedës. Gjatë dëshmisë së tij, Qoli ka dhënë detaje mbi aktivitetin e tij profesional dhe burimet e të ardhurave gjatë viteve, duke theksuar lidhjet e tij familjare dhe angazhimet në bizneset e ndryshme.

Sipas dëshmisë, Qoli ka punuar si kapiten anijeje peshkimi nga viti 2002 deri në 2013, duke pasur nën pronësi anijet “Dibra” dhe “Sazani”. Ai ka treguar gjithashtu se ka përfunduar Fakultetin e Drejtësisë, por është angazhuar gjithashtu në ndërtim, ku ka realizuar ndërtimin e 8–9 pallateve. Qoli u shpreh se kishte një periudhë kur ishte përfshirë në ndërtim dhe se kishte ndihmuar në financimin e ndërtimit të disa pallateve me burime të siguruara nga aktivitetet e tij në peshkim.

Gjatë dëshmisë, ai tha se ideja për të hyrë në fushën e ndërtimit kishte ardhur nga kushëriri i tij, Mustafa Laço, i cili ishte ndërtues prej vitesh. Qoli sqaroi se ndërtimi i parë ishte realizuar pranë Pallatit të Kulturës, me një investim fillestar prej rreth 300 mijë markash, të cilat i kishte siguruar nga fitimet e peshkimit.

Përsa i përket vëllait të tij, Festim Qoli, ai tha se ky i fundit kishte pasur disa biznese si bar-kafe dhe palestër, të cilat i kishte ndërtuar vetë. Po ashtu, ai e përshkroi Festimin si të përfshirë edhe në tregtinë e makinave të dubluara dhe me lidhje me shtetas italianë, por shtoi se ata nuk kishin punuar kurrë bashkë.

Në lidhje me kushëririn Agron Qoli, ai e përshkroi si një “djalë model” dhe ndërtues, por tha se ata nuk kishin bashkëpunuar në ndonjë biznes të përbashkët. Gjatë dëshmisë, Qoli po ashtu ka pranuar se ka udhëtuar shpesh jashtë shtetit për shkak të angazhimeve të tij me anijet e peshkimit. Ai ka sqaruar gjithashtu lidhjet e vëllait të tij Festim me një shtetase bullgare të pasur, që merrej me tregtinë e inerteve dhe që zotëronte pasaportë britanike.

Në fund të dëshmisë, Qoli theksoi se të gjitha pronat e tij janë të hipotekuara dhe se ai ka ndjekur personalisht të gjitha ndërtimet. Ai u shpreh se nuk ka lejuar asnjë punë të bëhej pa qenë ai vetë aty për të mbikëqyrur, duke u përshkruar si një person autodidakt në këtë fushë.