Drejtori i Teatrit Kombëtar Altin Basha është shkarkuar nga detyra ditën e sotme. Dyshohet se Basha ka abuzuar me fondet në Teatrin Kombëtar, teksa mësohet se ai është shkarkuar ditën e djeshme, me vendim të Këshillit të Ministrave. Në vend të tij, pritet të emërohet një tjetër drejtor.

Sipas akuzës, Basha kishte punësuar si kostumografe bashkëshorten e tij për shfaqen “Vojçek” dhe e kishte paguar atë 11 milionë lekë për kostumet e kësaj shfaqje, rreth 840 mijë lekë për veshjet e çdo aktori

Gjithashtu sipas akuzës kanë dalë edhe emra fiktivë, të cilët janë paguar sikur të kenë qenë pjesë e Teatrit. Pas skandalit që shpërtheu për fondet e Teatrit Kombëtar nën drejtimin e Altin Bashës, reagoi edhe ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit. Ministria  lajmëroi asokohe ngritjen e një grupi të posaçëm që do të zhvillonte hetimet për Teatrin Kombëtar, për të vërtetuar të gjitha pretendimet e ngritura.

“Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit ka ndjekur me vëmendje, sikurse me shqetësim, zhvillimet e fundit mbi kronikat e transmetuara nga një emision investigativ lidhur me menaxhimin në Teatrin Kombëtar. Për të garantuar transparencën dhe përgjegjshmërinë institucionale, Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, më datë 23.12.2024 ka urdhëruar ngritjen e një grupi pune për të inspektuar situatën dhe aludimet e ngritura lidhur me disa aspekte të produksionit në Teatrin Kombëtar”,  thuhej në njoftimin zyrtar nga ministria.

Altin Basha e mori detyrën si drejtori i Teatrit Kombëtar dy vite më parë.