Policia e Tiranës ka vënë në pranga Elvis Gaçaj i njohur si anëtar i klanit Duka, i dyshuar dhe hetuar edhe si një nga pjesëmarrësit e grupit kriminal që vrau ish-policin Santiago Malko në vitin 2019.

Gaçaj u kap nga shërbimet e Forcës së Posaçme “Shigjeta” pranë Komisariatit nr 2, me armë teksa lëvizte si pasagjer në makinën e mikut të tij, Marsel Dobi, të cilit iu vendosën gjithashtu prangat për moskallëzim krimi. Lidhur me vrasjen e Santiago Malkos, Elvis Gaçaj sot 50 vjeç u arrestua në Durrës në vitin 2019. 4 vite më vonë, Apeli i Posaçëm prishi vendimin e dënimit të tij me 7 vite burg duke rikthyer çështjen për rigjykim në shkallën e parë.

Gaçaj u prangos edhe në prill të vitit 2018 bashkë me Leonard Dukën, në një apartament pranë rrugës së Dibrës, po për armbëmbajtje dhe lëndë narkotike. Gjykata vendosi për dy të pandehurit t’i lërë në “arrest shtëpie” në atë kohë. Po ashtu, në vitin 2015 ai i shpëtoi një atentati në kryeqytet, ngjarje ku humbën jetën 2 persona.

Ndërkohë nga zbardha e komunikimeve në SKY ECC në dosjen “revanshi” të SPAK, Gaçaj planifikohej të ekzekutohej sapo të dilte nga dera e burgut por atentati që do të bëhej nga Gjergj Cukali me porosi të Ervis Martinaj dështoi pasi shënjestra shoqërohej nga familja dhe vajza e mitur.