Prokurorët kanë gjobitur filialin holandez të markës luksoze Louis Vuitton me 500 mijë euro, për akuzën e pastrimit të parave. Louis Vuitton doli si i dyshuar gjatë një hetimi më të gjerë për pastrim parash të udhëhequr nga autoritetet holandeze. Gjatë një periudhe të gjatë, kompania nuk kontrolloi siç duhet identitetin e klientëve që bënin vazhdimisht blerje të mëdha në para.

“Çështja po zgjidhet përmes një urdhri dënimi për të lehtësuar presionin mbi kapacitetin e kufizuar të sallës së gjyqit në Gjykatën e Qarkut të Roterdamit,”– thanë prokurorët në një deklaratë.

Hetimi nisi nga blerjet që kryente një 53-vjeçar shqiptar, i cili ishte dënuar më parë për vepra kriminale. Thanas Bako me origjinë nga Saranda, kryente blerje të shumta pranë markës luksoze, si një mënyrë për të pastruaar paratë. Prokurorët thonë se një grua 36-vjeçare nga Lelystad më pas i përdori ato para për të blerë artikuj luksoz në dyqane duke përfshirë Louis Vuitton, duke përdorur pseudonime të shumta.

Autoritetet dyshojnë se midis gushtit 2021 dhe shkurtit 2023, gruaja, e identifikuar si Bei W., shpenzoi mbi 2 milionë euro fonde të paligjshme. Ajo thuhet se i dërgoi çantat luksoze në Kinë në kuti kartoni për rishitje, duke maskuar të ardhurat si tregti legjitime.

“Kjo praktikë, e njohur si tregtia ‘Daigou’, është një metodë e transferimit të parave kriminale përmes artikujve luksoz. Provat përfshijnë mesazhe bisede, fatura dhe pamjet e kamerave të sigurisë”, deklaruan prokurorët.

Hetuesit gjetën gjithashtu kuti në shtëpinë e saj të përgatitura për dërgesë në Kinë. Mediat shkruajnë se ajo u ndihmua nga një person i brendshëm. Një ish-asistent i shitjeve të Louis Vuitton dyshohet se e ka ndihmuar atë, duke e paralajmëruar për ardhjet e reja të çantave të nivelit të lartë dhe duke e këshilluar për ndarjen e blerjeve për të shmangur shkaktimin e kërkesave ligjore të raportimit.

Nga 1 janari 2026, ligji holandez ndalon tregtarët të pranojnë pagesa me para në dorë prej 3,000 euro ose më shumë. Prokurorët theksojnë se markat luksoze kanë të njëjtën detyrë si bankat për të verifikuar klientët e tyre sipas rregullave të vendit kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.