Kryetarja e Bashkisë Roskovec, Majlinda Bufi është paraqitur këtë të enjte në Gjykatën e Posaçme. Bufi akuzohet për “përdorim të detyrës për veprimtari politike dhe zgjedhore”, teksa më herët SPAK ka kërkuar dënimin e saj me 1 vit e 6 muaj burg, e në rast se shpallet fajtore, ky dënim do konvertohej në shërbim prove për 2 vjet.
Majlinda Bufi akuzohet se, në cilësinë e kryetares së bashkisë, i ka kërkuar një personi të mos marrë pjesë në zgjedhjet vendore të 14 majit 2023 dhe të mos përfshihet në veprimtari politike të forcave të tjera, duke e kërcënuar. SPAK i është referuar publikimit në media të një audio regjistrimi për të filluar hetimin. Transkripti i këtij regjistrimi tregon se kryebashkiakja Majlinda Bufi ështe revoltuar nga shtetasi G.B, i cili ishte përfitues nga një program social i Bashkisë Roskovec, që kishte si objekt përmirësimin e kushteve të banimit për familjet e varfëra e të pafavorizuara, të miratuar nga këshilli kësaj njësie vendore një vit para zgjedheve vendore të 2023-it.
Nga hetimi ka rezultuar se para takimit të regjistruar me kryetaren e Bashkisë, Majlinda Bufi, përpara zgjedhjeve të atëhershme, në banesën e shtetasit G.B kishin shkuar punonjësit e IMT-së, të cilët i kanë kërkuar llogari për punimet e kryera dhe ndalimin e vazhdimit të tyre. Më pas, shtetasi, G.B ka zhvilluar takimin në ambientet e bashkisë me Bufin, ku atij i është ushtruar presion duke iu përmendur se punimet ishin në tejlkalim të ndihmës dhe se kishte kryer ndërtim pa leje. Ndër të tjera, në këtë takim e pandehura i ka përmendur faktin se ai kishte dërguar mesazhe ku flitej për fitore të kandidatit të opozitës.
