Gjykata e Lamias në Greqi ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” për 50-vjeçaren shqiptare, e cila akuzohet se ka vrarë me thikë një 84-vjeçare, për të cilën kujdesej.

Ngjarja ka ndodhur në zonën e Kamena Vourla rreth një javë më parë, teksa gjatë gjithë seancës shqiptarja ka mohuar të jetë e përfshirë në vrasjen e të moshuarës. Mësohet se në momentin që iu komunikua masa, 50-vjeçares shqiptare i ra të fikët dhe u dërgua me urgjencë drejt spitalit të Lamias ku mori ndihmën e parë mjekësore.

Avokati i shqiptares tha për mediat greke se provat e akuzës për klienten e tij janë të paplota. Kujtojmë se dyshimet mbi shqiptaren lindën, pasi ajo kishte akses në banesën e të moshuarës, pasi ishte punësuar te ajo, e ndihmonte me punët e shtëpisë, gatimin dhe pazaret.

Sipas pistës së hetimeve dyshohet se 50-vjeçarja vrau të moshuarën greke për t’i vjedhur kursimet që ajo mbante gjithmonë brenda një çante prej lecke.