Prokuroria e Posaçme ka kërkuar dënimin me 35 vite burg për Jemin Sherën, i dyshuar si organizator i vrasjes së Behar Sofias.
Sipas SPAK, nga hetimet ka rezultuar se Jemin Shera e ka marrë porosinë për të ekzekutuar Behar Sofinë dhe për ta realizuar vrasjen ka krijuar grupin kriminal. Pjesëtarët e grupit e kanë vëzhguar shënjestrën e tyre për gjashtë muaj me radhë, deri në momentin kur e ekzekutuan mëngjesin e 25 shkurt të vitit 2021, në afërsi të piramidës në Tiranë.
Jemin Shera vijon të jetë në arrati që pas krimit të rëndë, teksa emri i tij është regjistruar për herë të parë nga SPAK në datën 29 mars 2022, si një nga të dyshuarit e vrasjes së Behar Sofisë. SPAK relatoi në gjykatë se Shera e ka marrë porosinë nga persona ende te paidentifikuar dhe me pas ka krijuar grupin kriminal. Ata e kanë vëzhguar Behar Sofinë për 6 muaj deri në momentin e ekzekutimit.
Behar Sofia ka pasur një emër tjetër, Fatmir Sofia dhe e ka ndërruar më vonë. Ai është nga Berati dhe dikur ka pasur edhe një televizion lokal. Emri i tij lidhet me biznesmenin turk të drogës “Adbulselam Turgut”, i cili kishte krijuar edhe një celulë në Shqipëri.