Kapiteneria e Portit të Durrësit ka penguar hyrjen në radën portuale të një anijeje cisternë të identifikuar nga autoritetet ukrainase si pjesë e flotës që përdoret për transportimin e produkteve energjetike ruse.
Bëhet fjalë për tankerin “Hanuman”, me numër IMO 9295048 dhe flamur të Sierra Leones. Sipas Kapitenerisë, vendimi për të mos lejuar hyrjen e anijes është marrë më 28 gusht.
Emri i “Hanuman” figuron në të dhënat e publikuara nga Inteligjenca e Mbrojtjes së Ukrainës (GUR), e cila e përfshin anijen në të ashtuquajturën “flotë hije” të Rusisë. Ky term përdoret për anijet që dyshohet se shërbejnë për transportimin e naftës dhe nënprodukteve ruse duke anashkaluar ose shmangur efektet e kufizimeve të vendosura nga vendet perëndimore.
Sipas të dhënave ukrainase, aktiviteti i “Hanuman” është lidhur me transportimin e produkteve ruse të naftës në kushtet e embargos së vendosur nga G7 dhe Bashkimi Europian, si dhe të mekanizmit ndërkombëtar që përcakton një çmim tavan për naftën ruse.
Një prej lëvizjeve të evidentuara daton në shtator të vitit 2025, kur tankeri raportohet se transportoi mbi 30 mijë tonë produkte nafte nga Novorossiysk i Rusisë drejt Turqisë.
Në informacionet e mbledhura për anijen evidentohen gjithashtu episode kur sistemi automatik i identifikimit AIS është çaktivizuar, si dhe lundrime dhe ndalesa në porte ruse. Në historikun e porteve të vizituara nga “Hanuman” rezulton edhe Durrësi.
Ndalimi i tankerit nga autoritetet portuale shqiptare vjen në një periudhë kur aktiviteti i anijeve të lidhura me eksportet ruse të energjisë po ndiqet nga afër ndërkombëtarisht, veçanërisht për shkak të përpjekjeve për të parandaluar shmangien e sanksioneve dhe kufizimeve të vendosura ndaj Moskës.
