Itali
Arben Hoxha vetëdorëzohet në polici pas vrasjes së Marjolës 32-vjeçare
Xhelozia është bërë shkak që një 40-vjeçar shqiptar, me banim në Fano të Italisë, të therë me thikë bashkëshorten e tij 32-vjeçare. Ngjarja ka ndodhur dje pasdite, në banesën e çiftit, prindër të katër fëmijëve. Lajmi është publikuar nga mediat italiane, të cilat e kanë cilësuar një krim për nder, që evokon Kanunin dhe ritet barbare. Sipas tyre, autori, 40-vjeçari Arben Hoxha, është dorëzuar vetë në polici, duke rrëfyer krimin që kishte kryer mbi nënën e 4 fëmijëve të tij. “Kështu duhet të ndodhte”, ka deklaruar shqiptari për karabinierët. Sipas të dhënave të para mësohet se viktima, 32-vjeçarja Marjola Hoxha, ishte në krevat, kur është sulmuar nga bashkëshorti, i cili e ka therur në fyt me një thikë kuzhine. Viktima sapo ishte kthyer nga Shqipëria, ku kishte qëndruar për gati gjithë muajin gusht. Qëndrimi i gjatë i 32-vjeçares është bërë shkak që i shoqi të bëhej xheloz dhe t’i kërkonte të kthehej menjëherë në Itali. Gruaja ishte marrë me dokumentet e dy fëmijëve, binjakë, 5-vjeçarë, të cilët kishin qëndruar në Shqipëri. Ditën e krimit, dy vajzat e tjera të çiftit, 12 dhe 14-vjeçare, nuk ndodheshin në shtëpi. Autori është përshkruar si një njeri i qetë dhe jo i dhunshëm. Ai punonte prej disa vitesh si murator. Deri ditën e diel, çifti nuk kishte pasur grindje dhe burri nuk kishte shfaqur sjellje agresive ndaj gruas, megjithëse dyshonte se ajo e kishte tradhtuar. Policia italiane tha se ka kryer hetimet për këtë rast, por ende nuk ka dalë në konkluzionet përfundimtare, ndërkohë që në shtëpinë e çiftit është sekuestruar edhe arma e krimit.