Pas homazheve të mbajtura te “Obelisku” në Lezhë për 25-vjeçaren Xhuana Nikollaj, një e afërme e saj rrëfeu se vajza kishte planifikuar të fillonte një punë të re në Tiranë vetëm një ditë pas ngjarjes tragjike.
Sipas saj, kur familjarët zbuluan se ish-partneri i Xhuanës, Eraldo Fizi, kishte ushtruar dhunë ndaj saj, ata ndërhynë menjëherë dhe e morën Xhuanën në shtëpi për ta mbrojtur. Pas kësaj, ajo vendosi të zhvendosej në Tiranë për të nisur një jetë të re dhe për të filluar punën e re.
E afërmja shtoi se Xhuana nuk kishte shfaqur shqetësime të dukshme dhe se familja mendonte se ndarja e saj nga Fizi tre muaj më parë mund të kishte shkaktuar depresion, por nuk ishte kështu. Ajo jetoi me shoqe në Tiranë dhe kur shprehu shqetësime ndaj familjes së saj, ata u përkujdesën menjëherë, duke e marrë dhe duke i siguruar mbrojtje.
“Pastaj shkoi në Tiranë për të jetuar aty. Një ditë më pas do të fillonte punë. Po e shikonte jetën me një këndvështrim tjetër. Kam 1 mijë mesazhe për gratë dhe vajzat që të mos heshtin, por të flasin. Ka ndryshuar koha, tani janë të lira,” tha e afërmja e saj, duke theksuar rëndësinë e ndërgjegjësimit për dhunën ndaj grave dhe vajzave.
