Asim Vokshi, anëtar i Gjykatës Kushtetuese prej disa javësh dhe një magjistrat karriere, ka thyer heshtjen pas një lajmi të fundit se ai ka shërbyer si informator apo agjent i shërbimeve sekrete. Vokshi e cilëson këtë lajm të paraqitur në një televizion kombëtar si të pavërtetë dhe një “diarre shpifjesh”.
“Fake news si ky nuk kisha parë ndonjëherë. Siç duket paska interesa të forta të paligjshme që duan të njollosin procedurën dhe produktin ligjor që prodhoi gara për zgjedhjen nga Gjykata e Lartë të një anëtari të Gjykatës Kushtetuese”, shkruan ai në një reagim zyrtar.
Më 30 Shtator 2025, gjyqtari Asim Vokshi është zgjedhur anëtar i ri i Gjykatës Kushtetuese, pasi është votuar nga kolegët për pozicionin vakant në institucionin që shqyrton kushtetutshmërinë e ligjeve dhe vendimeve.
Sipas artikullit për të cilin ka reaguar anëtari i Gjykatës Kushtetuese, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi i fshehu trupës prej 15 gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë gjatë procesit të votimit një informacion të rëndësishëm për kandidatin Asim Vokshi – pikërisht atë se kishte qenë pjesë e agjenturave.
“Kam heshtur deri tani, pasi kam besuar dhe besoj ende fort tek procedurat ligjore, por kjo e sotmja jo vetëm që përbën një “lajm” fals, haluçinant dhe përbaltës, por edhe nxjerr në pah interesat malinje që i janë kundërvënë këtij procesi korrekt”, shkruan gjyqtari Asim Vokshi.
Si një ndër magjistratët me profesionist të Republikës, ai paralajmëron se do të ndjekë çdo rrugë ligjore për të zhbërë ato që ai i quan shpifje, ndërsa i zhgënjyer është dhe me televizionin që ka raportuar lajmin.
“Ideja se shpif e shpif se diçka mbetet është e vjetër sa vetë jeta, por i përbuz me neveri këto shpifje dhe u siguroj se do ndjek çdo procedurë ligjore për të zhbërë këto diarre shpifjesh, që më trishton së tepërmi ta shoh të derdhet në një televizion kombëtar, për të cilin kisha besimin deri më sot, që do kishte të paktën minimumin e etikës gazetareske, para se të hidhte në mexhlis të tilla shpifje përbaltëse. Më vjen vërtet keq që shkoi puna deri këtu…”, përmbyllet reagimi.
