Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dënuar ish-kryetaren e komanduar të Bashkisë Tropojë, Zyra Islamaj, pasi u shpall fajtore për korrupsion pasiv.

Sipas vendimit të GJKKO-së, Islamaj u dënua me 2 vite e 1 muaj burg, por vuajtja e dënimit u pezullua dhe u zëvendësua me 2 vite shërbim prove. Gjykata vendosi gjithashtu që ajo të mos ushtrojë funksione publike për një periudhë 5-vjeçare.

Në të njëjtën çështje u dënua edhe ndërtuesi Rrok Gega, i akuzuar për korrupsion aktiv. Ai mori dënimin me 6 muaj burg, i cili po ashtu u pezullua dhe u konvertua në 1 vit shërbim prove.

Sipas hetimeve të SPAK, ish-zyrtarja dyshohet se i kishte kërkuar ndërtuesit realizimin e një ure pranë banesës së motrës së saj, ndërhyrje që nuk ishte e përfshirë në projektin fillestar.

Prokuroria pretendoi se Islamaj kishte ushtruar ndikim ndaj ndërtuesit dhe kishte angazhuar edhe teknikun e mirëmbajtjes së rrugëve në bashki për kryerjen e punimeve.