Faik Buci ka pranuar vrasjen e së bijës. 66-vjeçari një ditë pas arrestimit së bashku me të birin, është “thyer” përpara hetuesve duke e pranuar vrasjen që kreu 8 vite më parë.


Ai është shprehur se krimin e kreu për çështje nderi. “E vrava për të shpëtuar nderin e familjes” u tha Faik Buci hetuesve që e morën në pyetje.


Fakti që ka marrë përsipër krimin duket edhe si një lëvizje e të atit për të shpëtuar djalin, Shkëlzen Buci, pasi prokuroria i akuzon të dy për ekzekutimin me armë zjarri pistoletë të Eglantina Bucit dhe që më pas e groposën kufomën në Malin me Gropa në Tiranë.


I ati së bashku me djalin e vranë 23-vjeçaren, pasi nuk pranonin faktin që kishte vendosur që të largohej nga shtëpia për të bashkëjetuar me një person në zonën e Freskut. Fillimisht ishte i ati që tentoi që ta vrasë vajzën, por dështoi dhe më pas u fut në veprim djali dhe të dy e vranë.


Pas zbardhjes së identitetit se kujt i përkisnin eshtrat që u gjetën në Malin me Gropa, policia pyeti Faik Bucin se pse nuk denoncoi zhdukjen.


Ai u tha se vajza ishte kthyer në një prostitutë dhe se nuk kishte dijeni.


Me arrestimin e djalit të tij Shkëlzen Bucit në vitin 2017 pasi tentoi të vriste aktorin Mishel Prela, mbërriti një informacion në polici, se i riu bashkë me babain kishte vrarë motrën.


Kjo ka rihapur dosjen dhe më pas dëshmia e shoferit që shoqëroi Eglantina Bucin dhe vëllain e saj drejt malit të Dajtit, zbardhi vrasjen e mistershme pas 8 vitesh.