Një ngjarje e rëndë u regjistrua pasditen e djeshme ku një makinë totalisht e djegur me një kufomë u gjet brenda në qafën e Llogorasë.

Policia arriti të identifikojë viktimën dhe ai ishte Artjon Xheli, ish-efektiv policie. Nga të gjitha hetimet e bëra nga autoritetet u zbulua se ai ishte vetëvrarë duke i vënë zjarrin makinës ku ishte dhe vetë brenda.

Ndërkohë familjarët e 27-vjeçarit, nga Berati, janë shprehur se i riu vuante nga depresioni dhe para se të largohej nga banesa u kishte deklaruar se nuk do të kthehej në shtëpi, nëse nuk do të gjente punë.

Gazeta Shqip ka mësuar detaje të reja nga një dëshmi e një prej kushërinjve të Artjonit, sipas të cilit kishte kohë që ky i fundit shfaqte shenja depresioni.

“E tallnin gjithë kohën dhe nga puna e hoqën, nuk kishte shoqëri. Donte një vajzë në polici, por familja nuk e lejonte. Ajo shpesh e provokonte dhe i bënte gjeste.

Që në atë kohë sikur ra në depresion. Njëherë harroi makinën në Durrës se ku e kishte parkuar, dhe e bëri në këmbë nga Durrësi deri në Lushnje. Po ashtu edhe pistoletën e humbi,” shprehet ai për Gazeta Shqip.