Deputeti socialist, Erion Braçe, i cili vazhdimisht ka denoncuar rastet e skemave piramidale online që operojnë në qarkun Fier, reagoi pas aksionit të policisë, ku u vunë në pranga gjashtë persona dhe u shpallën në kërkim dy të tjerë.

Të arrestuarit janë janë Arbër Çela 38, Emanuel Taullau 21 vjeç, ⁠Flavio Mukaj 23 vjeç, ⁠Marius Kodra 28 vjeç, Brunilda Todi 38 vjeçe dhe Brunilda Ndini 38 vjeçe.

Postimi i Erion Braçes:

I mbani mend piramidat online që shpërthyen në korrik e gusht – Txex, Xuex, Grokr etj?! Ja ku i keni!

Dëgjova pafund kur fola – nga ata të nivelit të lartë: “Ça piramidash thotë ky”, “Ça do ky vëmendje”, “Do të bëhet ministër po se bën kush”, “Po ky do të na prishë axhendën”, “E ka personale, po prish imazhin e Fierit”, “E përzunë prej andej ndaj flet kot”;

Nga disa vendas në Divjakë, “Ç’puna ka ky, ky s’është më deputet këtu”, “Pse flet ky, është pronari i Divjakës”, “Pse na prish punë ky, ne po marrim lekë”!

Nejse, unë kam zgjedhur të them të vërtetën, pa menduar hiç kujt i pëlqen e kujt jo; Fola sepse rreshti i piramidës në meskorrik e mesgusht u bë shumë i gjatë – përpiu dhe emigrantë brenda; Fola sepse e kam jetuar 1994, 1995, 1996, 1997 dhe e di fare mirë vijimin!

Tani, mësova për veprimet e Policisë së Fierit, Prokurorisë së Fierit, Drejtorisë së Krimit Kibernetik; dua t’i falënderoj për punën, ashtu siç AKCESK, AMF, AKEP e cilindo që besoi e u përfshi kundër piramidave online.

Dua të besoj që hetimi e goditja nuk mbyllet këtu; Ka mbi 400 agjentë terreni në atë grup! Nuk e kam fjalën për dikë që hyri atje bashkë me familjarë; Por ata që mbanin grupe me 50, 100 anëtarë e që në Divjakë i njohin të gjithë! Kam një thirrje për të gjithë ata divjakas, lushnjarë e fierakë, por edhe këdo tjetër që ka paratë atje brenda në piramidë;

Drejtojuni Policisë në Fier – jo në Divjakë, dhe bashkëpunoni në hetimin e kujtdo që i dha jetë kësaj histerie që ju kushtoi shumë para;

Bashkëpunoni me Policinë në Fier e Prokurorinë po aty!!