Ka nisur në Pallatin e Kongreseve Asambleja e Partisë Socialiste, ku kryeministri Edi Rama po mban një fjalim.

Rama e ka nisur me nja paralajmërim për të gjithë, teksa tha se Partia Socialiste nuk od bëhet avokat i askujt para drejtësisë. Ai shtoi se situata me bashkinë e Tiranës nuk mban më dhe i duhet dhënë zgjidhje.

“Jemi mbledhur në këtë takim te parë të 4-vjeçarit tonë më sfidues për të çelur kapitullin e mandatit tonë të katërt i cili nis zyrtarisht pas pak ditësh me betimin e kuvendit dhe votëbesimin e qeverisë së re. Do na duhet të adresojmë këtu edhe emergjencën e krijuar në drejtimin e Tiranës për arsyen e ditur botërisht. Nuk mban më, ama duhet të them që në fillim sa më qartë atë që besoj e ndajmë të gjithë së bashku..

Ne nuk kemi arritur në asnjë çast në meritën e një çështjeje të drejtësisë, aq më shumë kur drejtësia nuk e ka thënë ende fjalën e saj. Nuk e kemi bërë dhe nuk do e bëjmë asnjëherë avokatin e asnjë pjesëtari të kësaj familjeje politike, edhe pse nuk na duket e drejtë. Nuk kemi patur dhe nuk do të kemi, për sa kohë unë të jem në krye  të kësaj force, asnjë pendesë për lirinë që i kemi dhënë drejtësisë.

Mbi të gjitha me tërheqjen historike të pushtetit të shumicës nga fusha e pushtetit gjyqësore. I kemi larguar duart e ekzekutivit nga çdo proces seleksionimi, zgjedhjeje apo shkarkimi i prokurorëve e i gjykatësve. Prandaj kush flet për kapje të sistemit të drejtësisë, ose nuk di çfarë flet ose nuk është. E kam ditur që kjo tërheqje e plotë nga fusha e gjyqësorit, do të sillte dhimbje dhe do na bënte dëshmitarë të një lindje dhe të rritje të vështirë, të krijesës së drejtësisë së pavarur, që për 100 e kusur vjet nuk ishte as e lirë, as e pavarur e as e paanshme.”– tha Rama ndër të tjera.