Kreu i grupit parlamentar i PD, Gazment Bardhi, ka mbështetur protestën e studentëve të drejtësisë në Maqedoninë e Veriut, të cilët kërkojnë të kryejnë provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe.
Në një reagim në rrjetet sociale, Bardhi shprehet se kjo është një e drejtë e fituar me gjak dhe që nuk mund të negociohet.
“Përdorimi i gjuhës shqipe është një e drejtë themelore e garantuar nga Kushtetuta e Maqedonisë së Veriut dhe Ligji për Përdorimin e Gjuhëve. Kjo është një e drejtë e fituar me gjak dhe që nuk mund të negociohet. Mbështes plotësisht protestën legjitime të studentëve sepse gjuha është historia, është gjak, është kujtesa. Dhe një popull që detyrohet të kërkojë gjuhën e vet nuk ka problem gjuhe, ka problem drejtësie. Për secilin prej tyre gjuha shqipe është identitet. Shqipja nuk negociohet”, shkruan Bardhi.
Ndërkohë ai i ka bërë thirrje qeverisë shqiptare që të marrë masa për të ndërhyrë pranë autoriteteve të Republikës së Maqedonisë së Veriut.
“I bëj thirrje Qeverisë Shqiptare që të marrë menjëherë masat për të ndërhyrë pranë autoriteteve të Republikës së Maqedonisë së Veriut, që të shmangin kthimin pas në kohë të errta. Rruga e dy vendeve tona fqinjë është e përbashkët drejt Bashkimit Europian🇪🇺. Por, në çdo rast Republika e Shqipërisë e ka detyrim kushtetues që të mbrojë të drejtat kombëtare të popullit shqiptar që jeton jashtë kufijve të saj”, deklaron ai.


