GJKKO ka refuzuar kërkesën e Eria Agos për zëvendësimin e masës së sigurisë. Ish-e dashura e Safet Bajrit do të vazhdojë të qëndrojë në qeli, pasi akuzohet për përfshirje në vrasjen e Fatbardh Licit në vitin 2018 në Shkodër.
Ago, 31 vjeçe, u arrestua në mars të këtij viti pas hetimeve të Prokurorisë së Posaçme (SPAK), e cila dyshon se ajo ka drejtuar një nga automjetet e përdorura për të realizuar atentatin ndaj Licit. Ngjarja ndodhi në lagjen Kiras të Shkodrës dhe konsiderohet një nga episodet më të rënda të përplasjeve mes grupeve kriminale në veri të vendit.
Pavarësisht mohimeve të saj gjatë seancave gjyqësore, ku ka deklaruar se nuk ka pasur asnjë lidhje me krimin, gjykata nuk i ka pranuar pretendimet. Organi i akuzës ka siguruar prova të cilat e lidhin Agon me veprimtarinë e grupit kriminal që, sipas SPAK, drejtohej nga Safet Bajri.
Për vrasjen e Fatbardh Licit, SPAK ka ngritur akuza të rënda ndaj Safet Bajrit, Behar Bajrit dhe Astmer Bilalit, për “Vrasje me paramendim”, në formën e bashkëpunimit brenda një grupi të strukturuar kriminal, si dhe për “Grup të strukturuar kriminal” dhe “Kryerje të veprave penale nga organizatë kriminale”.
Hetimet për këtë çështje mbeten në vijim, ndërsa priten zhvillime të tjera në procesin gjyqësor ndaj personave të përfshirë.