Policia ka shpallur në kërkim 48-vjeçarin Kamber Sulçaj, i dyshuar si autori i vrasjes së biznesmenit italian Edoardo Sarchi në zonën e Salarisë, Tepelenë. Bashkë me identifikimin, autoritetet kanë publikuar edhe fotografinë e Sulçajt.
Sipas burimeve zyrtare, ai akuzohet për tre vepra penale: “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese, kryer në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave”, “Armëmbajtje pa leje” dhe “Prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike”.
Sulçaj, me origjinë nga Mesapliku i Vlorës, dyshohet se ka qëlluar me një armë gjahu (çifte) drejt viktimës dhe shoqëruesve të tij pas një konflikti banal për përdorimin e dritave të gjata të automjetit. Debati ka degjeneruar në përplasje fizike dhe më pas në përdorimin e armës, ku një nga plumbat, pas një rikosheti në asfalt, ka goditur për vdekje biznesmenin 44-vjeçar italian. Policia po vijon punën për kapjen e autorit dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
