Një automjet është përfshirë nga flakët mesditën e sotme në një rrugë të brendshme të qytetit të Cërrikut.

Ngjarja është regjistruar rreth orës 12:25, teksa mjeti, i drejtuar nga një grua, ishte duke lëvizur. Sipas të dhënave paraprake, fillimisht është dëgjuar një zhurmë e fortë, e ngjashme me një shpërthim, dhe pak çaste më pas automjeti ka marrë flakë.

Drejtuesja ka mundur të dalë në kohë nga makina dhe fatmirësisht nuk ka pësuar dëmtime.

Zjarri ka shkaktuar dëme të shumta materiale në automjet, ndërsa autoritetet kanë nisur verifikimet për përcaktimin e shkakut të ngjarjes.