Metodat më të zakonshme të trajtimit të mbetjeve spitalore të rrezikshme janë nëpërmjet incinerimit dhe autoklavimit me avull. Mbetjet e rrezikshme përpara se të trajtohen, hidhen dhe ruhen në kontejnerë, si dhe në magazina të veçanta, ku mbahen për një periudhë të përkohshme, para se ato të trajtohen. Por, praktikat në shumë raste janë larg standardeve. Transporti është i pasigurt. Përfundimi i shumë prej këtyre mbetjeve është në lumenj.
“Ky si shërbim është bërë më parë nga vet strukturat shtetërore, nuk ka qenë fare sektori privat i përfshirë në të, u tha që do të merrej privati me këtë për dy aspekte, njëri për investimin në pajisje që në fakt e kemi blerë vetë me para publike dhe e dyta për trajnimi e mundshëm që do të kenë ky personel, ne e kishim personelin që merrej me atë punë”, tha Ilir Alimehmeti, Mjek Infeksionist.
Aktualisht në vendin tonë janë10 autoklava të cilat janë vendosur në punë prej shumë vitesh. Më e vjetra është e vendosur në Kukës që prej vitit 1974, ndërsa të tjerat kanë 14-20 vite që janë në gjendje pune.
“Sipas të dhënave të MSHMS janë jofunksionale 5 autoklava dhe 1 incenerator për djegien e mbetjeve të rrezikshme i cili ndodhet në Spitalin rajonal Durrës”, thuhet në auditimin e KLSH.
“Këtu kemi problem të madh me incenerimin por edhe me autoklavat po i kemi problematike dhe që nuk po na funksionojnë ka periudha kohore që nuk funksionojnë”, tha Ilir Alimehmeti, Mjek Infeksionist.
Gjysma e autoklavave janë jashtë funksioni sipas KLSH dhe ato 5 që janë në gjendje pune janë tepër të vjetra. Një situatë të vështirë kaloi QSUT përgjatë gjysmës së parë të vitit 2025 teksa malet e mbetjeve spitalore u grumbulluan në një hapësirë të jashtme. Autoklava ishte jashtë funksioni dhe kompania private e mirëmbajtjes, nuk shprehu inters për rinovim pas përfundimit të afatit. Peshën kryesore nëprodhimin e mbetjeve spitalore e zënë 3 spitalet në Tiranë, QSUT, Spitali “Shefqet Ndroqi” e më pas Spitali iTraumës. Spitali i Traumës në një përgjigje zyrtare për Inside Story tha se për trajtimin e mbetjeve ka një kontratë me afat 48 muaj me Eco Riciklim SHPK.
“Operatori ekonomik ka siguruar furnizimin me bazën materiale te nevojshme për realizimin e ndarjes ne burim dhe magazinimin provizor te mbetjeve spitalore deri në tërheqjen e tyre, sipas kërkesave për secilin kod të mbetjeve spitalore”, thuhet në përgjigjen e SPitalit të Traumës.
Në sqarimin e dhënë thuhet se trajtimi i mbetjeve realizohet në impiantin e kompanisë private. Spitali Shefqet Ndroqi i tha Inside story se për trajtimine mbetjeve janë kontraktuar bashkimi i operatorëve VALE Recycling dhe Eco Riciklim. Spitalet kryesore, pra ato që gjenerojnë më shumë mbetje kanë kontraktuar kryesisht këto dy kompani për menaxhimin, ndërsa spitalet e tjera rajonale gjenerojnë më pak mbetje spitalore.
KLSH auditoi 4 spitale rajonale Shkodër, Durrës, Korçë dhe Vlorë për vitet 2020-2023. Në shumicën e rasteve, dokumentacioni mbi menaxhimin e mbetjeve spitalore ishte problematik. Kontratat e lidhura nga spitalet me operatorë ekonomikë kanë ndryshime të mëdha çmimesh edhe me të njëjtët operatorë, duke treguar mungesë reference të konsoliduar për fondet limite të prokurimeve.
Në Shkodër, ambienti i autoklavës ishte shumë afër me koshat e mbetjeve urbane, dhe frigoriferi ishte jashtë godinës, duke rritur rrezikun gjatë transportit. Inside Story gjeti në koshat urbanë përballë spitalit garza të gjakosura dhe materiale të tjera të cilat janë përdorur në spital, çka tregon se mbetjet spitalore janë hedhur në koshat urbanë. Në një përfundim të tillë kishte arritur më herët edhe KLSH gjatë periudhës që është bërë auditimi. Kjo tregon se nuk është marrë asnjë masë nga Spitali edhe pas rekomandimeve.
“U konstatua se qeset e mbetjeve spitalore gjatë vëzhgimit u hodhën në koshin e mbetjeve urbane (kosh i cili ndodhet në afërsi të ambienteve të autoklavës)”, thuhet në raportin e KLSH.
Në Korçë, autoklava dhe frigoriferi janë në të njëjtin ambient me kaldajën e spitalit, ku temperaturat jane të larta, çka favorizon përhapjen e infeksioneve. Për të kuptuar rrezikun që vjen nga mbetjet spitalore, Besnik Jakaj, ndau me Inside Story njëhistori personale nga koha kur drejtonte Institutin e Shëndetit Publik. Ai konstatoi një përhapje të tumoreve te punonjësit, që duke analizuar statistikat, ishte tepër i lartë.
“2007-2008 unë kam qenë drejtor i ISHP dhe rastëisht nga disa punonjës që kishte disa probleme, pra disa femra kishin kaluar tumor dhe ishin me tumor dhe marr vesh që bodrumet e ISHP kishte mbetje të produkteve imunobiologjike të prodhimit të vaksinave që në vitet 1960-1970”, tha Besnik Jakaj, Mjek nefrolog dhe ish drejtor i ISHP.
