Ministria e Drejtësisë shkarkon drejtorin e burgut të Durrësit Indrit Cërloj, pas arratisjes së të paraburgosurit Altin Ndoci.

Në mesin e të arrestuarve për këtë ngjarje, janë zv.shefi i policisë së burgut, Dezdemon Pazaj, punonjës i Policisë së Burgjeve dhe kryeinfermieri Aulon Quku. Ata akuzohen për shkelje të rënda të detyrës gjatë shoqërimit të Ndocit për vizitën mjekësore, duke mos informuar as drejtorin e burgjeve dhe as policinë e shtetit për itinerarin e planifikuar.

Nga hetimet e para rezulton se më 13 janar 2026, Altin Ndoci ka kryer konsultë mjekësore me mjekun e institucionit të vuajtjes së dënimit, i cili rekomandoi vizitë te mjeku kirurg në Spitalin Rajonal Durrës. I paraburgosuri është shoqëruar sipas itinerarit të përcaktuar: IEVP Durrës – Spital Rajonal Durrës – kthim në IEVP. Gjatë trajtimit mjekësor në pavionin infektiv, Ndoci ka kërkuar të shkojë në tualet. Punonjësit e policisë e kanë shoqëruar, por ai ka kundërshtuar dhe i ka goditur, duke arritur të arratiset.

Pas ngjarjes, drejtori dhe i gjithë zinxhiri drejtues i institucionit të paraburgimit janë pezulluar nga detyra. Prokuroria po heton nëse Ndoci ka pasur bashkëpunëtorë brenda burgut për të realizuar arratisjen, si dhe arsyet pse një personazh me rrezikshmëri të lartë shoqërore u vendos në një institucion paraburgimi me siguri të ulët.

Altin Ndoci ishte transferuar në Durrës në vitin 2020 dhe ndodhej në gjykim në dosjen “Plumbi i Artë” për vrasjen e Andi Zylyfit dhe plagosjen e Ardit Urucit, si dhe për vrasje për llogari të organizatës kriminale të drejtuar nga Franc dhe Hajdar Copja. Dëshmitë e ish-drejtorëve të burgjeve pritet të merren gjatë hetimeve për të sqaruar përgjegjësitë në këtë arratisje.