Është arrestuar mbrëmjen e sotme i shumëkërkuari Moisi Habilaj, i cili ishte shpallur fajtor nga GJKKO me 10 vite burg për trafik narkotikësh dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal. Raportohet se Habilaj është arrestuar në Borsh, në Vlorë.
Moisi Habilaj është dënuar më herët edhe nga drejtësia italiane me 15 vite burg për trafik ndërkombëtar droge. Në të njëjtën çështje, italiani Antonino Riela u dënua me 14 vite burg, ndërsa Meridian Sulaj me 8 vite e 4 muaj dhe Nezar Seitaj me 7 vite e 5 muaj burg. Çështja e “Habilajve” në tetor të vitit 2017, mori edhe vëmendje politikë pas publikimit të dosjes italiane që evidentonte lidhje mes grupit kriminal dhe ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri. Edhe pse Tahiri u akuzua fillimisht për trafik droge dhe pjesëmarrje në organizatë kriminale, ai u dënua përfundimisht për shpërdorim detyre. Në të njëjtën çështje, fajtor u shpall edhe ish-drejtuesi i Policisë së Vlorës, Jaeld Çela.
