Është arrestuar ditën e sotme në Belgjikë Mario Çela, vëllai i Suel Çelës, personazh i botës së krimit në vendin tonë.
Arrestimi i tij vjen në kuadër të mega-oparcionit që SPAK nisi ditën e djeshme, në bashkëpunim me Eurojust, Europol, autoritetet e drejtësisë së Francës, Belgjikës, Holandës dhe Ekuadorit. Në kuadër të operacionit, u lëshuan ditën e djeshme 21 urdhër-arreste, ku për 18 persona u caktua masa e sigurisë “Arrest me burg”, për një “Arrest shtëpie”, dhe për dy gazetarët Artan Hoxha dhe Elton Qyno u caktua “Detyrim paraqitje.
Suel Çela, së bashku me të vëllain dhe persona të tjerë, drejtonin një organizatë të mirëstrukturuar kriminale në trafikun ndërkombëtar të kokainës, me bazë në qytetin e Elbasanit dhe me shtrirje në vendet e Bashkimit Europian dhe Amerikës Latine. Aktiviteti i grupit kriminal u zbulua pasi SPAK arriti të merrte në dorë bisedat sekrete në aplikacionin “SKY/ECC”.
Konkretisht masa “arrest në burg” është ekzekutuar për ish-gjyqtaren Pajtime Fetahu (gjatë ushtrimit të detyrës i shërbente krimit, ndodhet në arrest shtëpie për përfshirje në dosjen e grupit të Çopajve po në Elbasan), ish-kreun e gjyqtarëve në Elbasan Zihni Shahu, ish-shefin e krimeve në Tiranë, Dedan Gjonin (aktualisht në burg për dosjen “Metamorfoza 2”) dhe biznesmenin Marsel alias Bujar Shega (dyshohet se pastronte paratë e grupeve kriminale përmes kompanive të tij).
Në kuadër të operacionit që është zhvilluar dhe në Tiranë janë kontrolluar një sërë banesash, kryesisht në qytetin e Elbasanit, ish-gjyqtarësh, përfshirë edhe ato të Zihni Shahut dhe Taulant Tafës, dhe 2 ish-prokurorëve. Të sipërpërmendurit dyshohet se kanë dhënë vendime korruptive duke favorizuar Suel Çelën dhe grupin e tij kriminal. Me urdhër të SPAK, forcat e policisë kanë ushtruar kontrolle të befasishme në ‘bazat’ e Suel Çelës. Operacioni u organizuar pas zbërthimit të bisedave në SkyECC, ku ka dyshime se emrat e gjyqtarëve përmenden në një bisedë për zbutjen e një mase sigurimi personal. Operacioni i SPAK për ekzekutimin e masave të sigurisë, i cili po mbështetet nga Europol dhe agjencitë e tjera ligjzbatuese shqiptare dhe evropiane, është në vijim.