Një aksident i rëndë ka ndodhur para pak çastesh në zonën pranë Rrugës Transbalkanike në Vlorë, ku një automjet tip “Audi” ka përplasur një person që ishte në biçikletë. Sipas informacioneve paraprake, makina ka goditur biçiklistin gjatë lëvizjes së tij në këtë aks rrugor.
Si pasojë e përplasjes, i plagosuri ka marrë dëmtime të rënda dhe është transportuar me urgjencë në Spitalin Rajonal të Vlorës, ku ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore.
Policia ka mbërritur në vendngjarje, ka shoqëruar drejtuesin e automjetit dhe ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit. Po kryhen veprime procedurale për të sqaruar shkakun dhe përgjegjësitë e këtij incidenti.
