Gjykata Kushtetuese do të shpallë sot në orën 17:00 vendimin për shkakrimin e kryebashkiakut Erion Veliaj.
Ditën e premte, në një seancë disa orëshe, Veliaj parashtroi argumentet e tij, se përse shkarkimi është jokushtetues. Veliaj i kërkoi gjykatës kushtetuese të shfuqizojë dekretin e presidentit për zhvillimin e zgjedhjeve më 9 nëntor në Tiranë dhe të mos njoh vendimin e shkarkimit, ndërsa paraprakisht u pezulluan zgjedhjet.
Pyetja është si do të vendosin gjyqtarët në vijim? Vendimmarrja e Gjykatës Kushtetuese ka tre mundësi në tavolinë: ose të rrëzojë Erion Veliajn, ose të pranojë kërkesën e tij tërësisht ose opsioni i pranimit pjesërisht. Në analizën e Top Channel mbi fatin e bashkisë së Tiranës, opsioni i tretë hidhet poshtë për sa kohë dy kërkesat e Veliajt janë të lidhura me njëra tjetrën.
Nëse pranohet plotësisht pretendimi i kryetarit të shkarkuar, Veliaj do të rikthehet në detyrë edhe pse me pranga dhe zgjedhjet do të anulohen. Dhe nëse gjyqtarët vendosin me shumicë votash apo njëzëri të rrëzojnë kërkesën e Erion Veliajt, në Tiranë do të zhvillohen zgjedhjet e pjesshme.
Por e sigurt që jo në 9 nëntor, siç dekretoi presidenti Bajram Begaj. Juristi i tij deklaroi gjatë seancës se kompetenca e presidencës është ezauruar për një datë të re zgjedhjesh. Ndaj Gjykata Kushtetuese duhet të vendos në gjykimin e tyre edhe për kohën kur do të votohet në kryeqytet.
Po të llogarisim afatet në rast se vendoset për mbajtjen e zgjedhjeve në Tiranë, atëherë periudha më e afërt e mundshme shihet muaji dhjetor, por nëse shkojmë në maksimum të afatit ligjor, data më e largët pritet të jetë 14 janari. Megjithëse duhet edhe pak durim për të ditur nëse zgjedhjet e parakohshme të Tiranës do të zhvillohen.



