Dy motrat, Antonela dhe Mariela Berisha, janë vetëdorëzuar në policinë e Tiranës pas dy muajsh në kërkim për rrahjen e Klea Prengës.

Ngjarja e rëndë ndodhi më 6 gusht 2024, kur Klea, e cila ishte duke darkuar në një restorant, u sulmua barbarisht nga motrat, të cilat e goditën me sende të forta, përfshirë shishe qelqi, duke i shkaktuar dëmtime të rënda në fytyrë.

Autoritetet fillimisht dyshuan se motrat mund të kishin braktisur Shqipërinë për në Dubai.

Tani ato akuzohen për plagosje të rëndë me dashje, kryer në bashkëpunim, dhe rrezikojnë një dënim deri në 10 vjet burg. Prokuroria ka nisur hetimet për të sjellë përgjegjësit para drejtësisë.

Shkak i dhunës së rëndë nga motrat Berisha është një marrëdhënie mes bashkëshortit të Marielës me blogeren e njohur.

Klea Prenga ka marrë një diagnostikim të rëndë shëndetësor pas incidentit të dhunshëm me motrat Berishaj, i cili ndodhi më 6 gusht 2024. Sipas ekspertizës mjekësore të kryer më 9 Shtator 2024, Prenga paraqitet me dëmtime të rënda trupore dhe një gjendje të rënduar emocionale.

Gjatë ekzaminimit, ajo shfaqi mpirje në anën e djathtë të fytyrës, veçanërisht në buzën e sipërme, duke e bërë të vështirë mbylljen dhe hapjen e saj. Plagët e saj përfshijnë një lëndim në regjionin zigomatik dhe suborbital të djathtë, si dhe një tjetër plagë në regjionin tëmthor të djathtë. Mjekët raportuan prani të edemës dhe nxirjeve në lëkurë, duke e detyruar Prengën të marrë 13 qepje në një nga plagët.

Përveç dëmtimeve fizike, Prenga ka përjetuar pasiguri emocionale, duke u mbyllur në vetvete dhe kufizuar daljet e saj në publik. Ajo gjithashtu ka humbur punën si blogere për shkak të cënimit të imazhit pas ngjarjes. Ekspertiza e kryer për nervat facialë të anës së djathtë tregon se dëmtimet janë më shumë të natyrës muskulore dhe nuk prekin drejtpërdrejt nervat.

Mjekët theksojnë se dëmtimet janë të përhershme dhe nuk mund të riparohen me teknika mjekësore të zakonshme. Prenga ka të drejtë të kërkojë ndihmë dhe kompensim për pasojat e këtij incidenti të rëndë, i cili ka lënë pasoja të thella jo vetëm fizike, por edhe emocionale dhe sociale. Dëmtimet e saj janë klasifikuar si të rënda trupore, duke theksuar seriozitetin e situatës dhe ndikimin e saj të gjatë në jetën e saj.