Hetimet për vrasjen e biznesmenit Edmond Hyka, i njohur si Mondi Mëhalla, po thellohen, ndërsa numri i personave të shoqëruar nga policia ka arritur në tetë.
Së fundmi, Naldo Gjoni, me origjinë nga Lezha, është shoqëruar në komisariat pasi dyshohet se ditët e fundit ka qarkulluar me automjetin që mendohet të jetë përdorur nga autorët në ekzekutimin e 43-vjeçarit.
Ekzekutimi i Mond Hykës në Elbasan! Blutë shoqërojnë një person, dyshohet se ka përdorur makinën e atentatorëve të biznesmenit, iu vunë prangat teksa po dilte nga Shqipëria
Pamjet e kamerave të sigurisë në Rrugën e Kombit e kanë fiksuar personin teksa kryente pagesën në traut e autostradës duke përdorur të njëjtin automjet që më pas u identifikua nga grupi hetimor.
Aktualisht, policia po zhvillon kontroll në banesën e tij në Lezhë, në kërkim të provave që mund të shërbejnë për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Si ndodhi ngjarja?
Mbrëmjen e së dielës (30 Nëntor), biznesmeni Edmond Hyka alias Mondi Mëhalla u ekzekutua brenda mjetit të tij tip Range Rover. Trupi i pajetë i 43-vjeçarit u gjet brenda makinës rreth orës 20:35, në lagjen “Emin Matraxhiu” të qytetit të Elbasanit. Viktima sapo kishte dalë nga zyra, në afërsi të së cilës ndodhen bizneset dhe shtëpia e nënës së tij.
Në momentin kur është futur në makinë, është qëlluar me armë zjarri dhe ka marrë tre plumba, dy prej të cilëve në kokë, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Më pas në vendngjarje mbërritën shërbimet e Policisë, të cilat kanë ngritur pika kontrolli në të gjitha daljet e qytetit, ndërsa janë bërë kontrolle në zonë dhe në ambiente të ndryshme për kapjen e autorëve.
Gjithashtu automjeti i përdorur nga ekzekutuesit dyshohet të ketë qenë një Audi me ngjyrë të zezë, i cili është larguar me shpejtësi në drejtim të aksit rrugor Elbasan–Librazhd.
Atentatorët pasi janë siguruar se 43-vjeçari ndërroi jetë larguar me Audin e zi në drejtim të aksit Elbasan-Librazhd. Policia ndërkohë njoftoi se një grup i posaçëm hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, ka nisur punën për zbardhjen e rrethanave të krimit dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes.
