Është gjetur arma me të cilën u vra djali i ish-gjyqtarit Fran Prendi, Klaudio Prendi, mesnatën e ditës së hënë. Mësohet se arma, e pajisur me silenciator, është gjetur brenda makinës së djegur të autorëve, në zonën e Farkës.

Atentati ndodhi mesnatën e të hënës, ku i riu u qëllua me 5 plumba pasi doli nga një lokal, në zonën e “Xhamllikut”. Dyshohet se në atentat kanë marrë pjesë 3 persona të cilët kanë qenë në një automjet tip “Audi A4” ngjyrë gri me portobagazh me targa greke. Mësohet se ka qëlluar vetëm një prej tyre nga pjesa e pasme e makinës me pistoletë me silenciator.

Në momentin e ngjarjes, i riu sapo kishte dalë nga lokali ku kishte qenë i shoqëruar nga disa miq dhe 2 efektivë të Policisë së Shtetit.

Në pamjet e publikuara duket 28-vjeçari duke hipur në makinën e tij tip “G Class”, parkuar pranë stacionit të autobusit, një mjet tip “Audi” i bardhë i është afruar paralel dhe ka qëlluar 7 herë ndaj tij.