Gjykata Kushtetuese nuk ka arritur të marrë vendim për kërkesën e kryeministrit Edi Rama për pezullimin nga funksionet publike të zv/kryeministres Belinda Balluku nga GJKKO. Në fund, votat u ndanë 4 me 4 dhe kjo do të thotë se mbetet në fuqi vendimi për pezullimin e Ballukut.
Gjyqtarët e Kushtetueses ishin “ngujuar” që në orë 11:00 në Dhomën e Këshillimit, ndërsa janë larguar që aty vetëm pak minuta sa të konsumonin drekën. Kjo ishte mbledhja e tretë e Gykatës Kushtetuese për këtë çështje, kur dy mbledhjet e mëparshme kanë dështuar pasi disa anëtarë kanë kërkuar më tepër kohë.
Çështja “Balluku” është çështja me interes më të lartë publik, nga çështjet që Kushtetuesja po shqyrton aktualisht, duke pasur parasysh rikthimin në detyrë të zëvendës kryeministres Belinda Balluku.



