Erion Veliaj do të vijojë të qëndrojë në burg, pasi Gjykata e Lartë ka rrëzuar rekursin e paraqitur prej tij për ndryshimin e masës së sigurisë.
Kryebashkiaku i Tiranës kishte depozituar rekursin më 6 maj, vetëm pak ditë pas vendimit të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë, të cilat ndryshuan pjesërisht praktikën lidhur me masat e arrestit.
Në kërkesën drejtuar gjykatës, Veliaj kërkonte zëvendësimin e masës “Arrest në burg” me një masë më të butë sigurie.
“Kërkohet zëvendësimi i masës së sigurimit ‘Arrest në burg’ me një masë më të butë si ‘Garanci pasurore’ ose ‘Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore’”, thuhej në rekursin e tij.
Megjithatë, Gjykata e Lartë vendosi të mos ndryshojë masën e sigurisë, duke lënë në fuqi arrestin në burg ndaj kryebashkiakut.
Veliaj ndodhet nën hetim nga Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ndërsa çështja ndaj tij vijon të ndiqet nga organet e drejtësisë.
