Ish-kryeministri Sali Berisha është liruar ditën e sotme nga “Arresti i shtëpisë”, pas thuajse një viti nga vendosja e masës së sigurisë.

Lajmi u dha nga avokati i tij, Genc Hjokutaj, i cili tha se GJJKKO konstatoi se nuk ekzistojnë më kushtet dhe kriteret për asnjë lloj mase, ndaj ish-kryeministrit.

“Gjykata konstatoi se për zotin Berisha nuk ekzistojnë më kushtet dhe kriteret për asnjë lloj mase. Ne kemi një vit e ca luftë me Irena Gjokën. Qëndrimi i Strasburgut është determinant dhe ka një rol parësor në këtë punë. SPAK le të bëjë çfarë të dojë. Por duhet të ulë kokën sepse i ka hipur një kali për sprapthi”, deklaroi avokati i Sali Berishës, Genc Gjokutaj.

Sali Berisha ndodhej në arrest shtëpie prej 30 dhjetorit të vitit 2023, pasi GJKKO ashpërsoi masën ndaj tij, sepse nuk respektoi masën e parë, atë të “Detyrimit të paraqitjes”. Berisha akuzohet nga SPAK për “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë” në lidhje me dosjen hetimore mbi privatizimin e ish-kompleksit sportiv “Partizani”.

“Zëvendësimin e masave të sigurimit personal me karakter shtrëngues ‘detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore’, parashikuar nga neni 234 i K.Pr.Penale dhe ‘Ndalim i daljes jashtë shtetit’ parashikuar nga neni 233 i K.Pr.Penale, caktuar me vendimin Nr.112, datë 20.10.2023, verifikuar me vendimin nr. 117 datë 26.10.2023, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, lënë në fuqi me vendimin nr. 56 datë 21.11.2023, të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me masën e sigurimit personal shtrëngues ‘arresti në shtëpi’, parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale, ndaj shtetasit nën hetim Sali Berisha, i biri i Ram-ës dhe i Shiqere-s, i datëlindjes 15.10.1944, lindur në Tropojë, me nr. personal E40701031R, i dyshuar për kryerjen e veprës penale ‘Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë’, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 260 e 25 i Kodit Penal”, thuhej në vendimin e GJKKO-së të datës 30 Dhjetor 2023.