Arrestohet autori i dyshuar i vrasjes së 81-vjeçarit Xhemal Meta. Policia zbuloi se autor i dyshuar i vrasjes së Xhemal Metës është shtetasi i identifikuar si Isuf Hasa, 64-vjeç.
Hasa dyshohet se ka shkuar në shtëpinë e Metës dhe të dy janë konfliktuar për motive të dobëta. Më tej policia tregon se 64-vjeçari Hasa e ka goditur Metën me çekiç në pjesën e prapme të kokës, duke i shkaktuar vdekjen. Pasi e ka goditur viktimën, autori i ka marrë edhe paratë që Meta kishte në xhep dhe është larguar.
Ngjarja ndodhi në fshatin Shëngjin i vogël në Qafë Mollë, 2 ditë më parë. Policia për ngjarjen u njoftua mëngjesin e datës 13 janar nga një komshi i viktimës, i cili e kishte gjetur të ndjerin të pajetë pranë disa gurëve në oborrin e banesës së tij.
Ekzaminimet mjekësore nga trupi i viktimës dolën në përfundimin se i moshuari ishte goditur me sende të forta në pjesën e pasme të kokës që i kishin shkaktuar vdekjen e menjëhershme. 81-vjeçari jetonte i vetëm në fshat, ndërsa familjarët e tij jetojnë në kryeqytet. Këta të fundit kanë deklaruar se i moshuari nuk kishte konflikte me askënd.