Vajza 6-vjeçare, e cila mbijetoi nga zjarri tragjik që përfshiu banesën e saj në Maliq, ka mbërritur në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë për trajtim të specializuar. E mitura ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore, për shkak të djegieve të shumta që ka marrë në trup, dhe është dërguar tek Pediatria në intubim.
Fëmija u gjet jashtë banesës në momentin e mbërritjes së ekipeve të emergjencës, në gjendje të vetëdijshme, ndërsa vëllai i saj, Luka Azisllari, 14 vjeç, ishte në gjendje kome dhe ndërroi jetë pak më vonë në Spitalin e Korçës. Ndërkohë, nëna e tyre, Merjeme Azisllari, 40 vjeçe, u gjet pa shenja jete në banesë, si pasojë e asfiksisë nga tymi i dendur.