Ka marrë fund rezistenca e Nertil Buzit, i cili raportohet se ka vrarë veten. Disa autoambulanca dhe forca të shumta policie janë afruar pranë automjetit ku ndodhet prej disa orësh 35-vjeçari. Pavarësisht përpjekjeve të efektivëve për ta bindur që të dorëzohej, 35-vjeçari ka qëlluar veten brenda në makinë.
Nga sulmi i armatosur i 35-vjeçarit në banesën e ish-të fejuarës mbeti i vrarë në vend 55-vjeçari Arben Plaka, ish-vjehrri i autorit, ndërsa ish-vjehrra e tij mbeti e plagosur dhe po merr ndihmën mjekësore në spital. Pas ngjarjes, Policia e Fierit ka dalë me një njoftim zyrtar, duke konfirmuar vetëvrasjen dhe e çuar në dy numrin e viktimave të kësaj ngjarjeje të rëndë, që tronditi vendin ditën e sotme.
“Roskovec, Fier/Informacion shtesë. Në vijim të informacionit paraprak për ngjarjen e rëndë kriminale të ndodhur në fshatin Vidhisht, Roskovec, ku shtetasi R. B., 35 vjeç, vrau me armë gjahu babanë e ish-të dashurës së tij, plagosi nënën e saj dhe mori peng ish-të dashurën, shtetasen R.P, ju informojmë se: Pas lirimit të saj falë veprimeve profesionale të Policisë, ekipi negociator i RENEA-s, në bashkëpunim me shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, nën drejtimin e Prokurorit, vijoi negociatat me 35-vjeçarin, me qëllim bindjen e tij për t’u dorëzuar dhe për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm të situatës.
Pavarësisht negociatave intensive, të zhvilluara që prej orëve të para të mëngjesit, 35-vjeçari nuk iu bind thirrjeve të Policisë për t’u dorëzuar dhe, rreth orës 16:35, dyshohet se është vetëvrarë me armën e gjahut që mbante me vete, brenda automjetit. Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorit, vijon veprimet për dokumentimin e plotë të rrethanave dhe shkaqeve të kësaj ngjarjeje të rëndë kriminale”, shkruan Policia.
