Ashtu siç e paralajmëroi pak ditë më parë kryeministri Edi Rama, ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja dërgoi në Inspektoratin e Lartë të Drejtësisë dhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë, prokuroren e Shkodrës, Elsa Gjeli.
Manja kërkoi nisjen e procedimit disiplinor ndaj Gjelit për mosfillimin e hetimeve në rastin e ndërtimit pa leje në Theth.
“Vendimi i prokurorit është në kundërshtim me përmbushjen e rolit dhe të funksionit të tij, ka cenuar rregullat e ushtrimit të hetimit, në lidhje me kallëzimin nr.827 datë 28.05.2025 të Komisariatit të Policisë Shkodër ndaj dhe duhet t’i nënshtrohet shqyrtimit të thelluar nga ana e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, referuar parashikimeve të neneve 169, pika 2, dhe 194, pika 2 të ligjit nr. 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, i ndryshuar, nenit 119, pika 2 të ligjit Nr. 96/2016, “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, si dhe nenit 6, pika 10 e ligjit 8678/2001 “Për organizimin dhe funksionimin e Ministrisë së Drejtësisë”, i ndryshuar”, thuhet në kërkesën e Manjës.
Ishte kryeministri Rama ai që denoncoi se në mes të Thethit po ndërtohej “një fshat pa leje”. Kjo solli reagimin e institucioneve dhe prishjen e disa ndërtimeve pa leje.
Prokuroria e Shkodrës në reagimin e saj tha se vendimi i prokurores Elsa Gjeli është marrë brenda ligjit.
Ajo theksoi se faktet e paraqitura nga policia nuk mjaftonin për të nisur ndjekje penale për rastin në fjalë.
Ndërkohë situata i kushtoi detyrën drejtorit të Policisë së Shkodrës dhe shefit të komisariatit të cilët u shkarkuan nga detyra nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda.
Kreu i qeverisë ka denoncuar së fundmi fenomenin e zaptimit të hapësirave publike teksa ka paralajmëruar një reformë të re ligjore për kontrollin e territorit.