Ilir Proda është zyrtarisht Drejtori i ri i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit.

Lajmi është bërë i ditur nga ministri i Brendshëm Ervin Hoxha, i cili foli për mediat pas mbledhjes së kabinetit qeverisës.

Ndër të tjera, Hoxha tha se kandidatët kanë kaluar nëpërmjet filtrit për pastërtinë e figurës së tyre. Pas këtij vendimi, ministri shtoi se do të hapet gara dhe konkursi për emërimin e 12 drejtorëve të qarqeve vendore të Policisë së Shtetit dhe drejtorëve të departamenteve në Policinë e Shtetit.

Gara do të zhvillohet me konkurs si në rastin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit ku kandidatët do të aplikojnë për postin dhe Komisioni do të jetë i njëjtë. Kreu i Policisë së Shtetit do ketë mandat 5-vjeçar, ndërsa Drejtorët e Drejtorive vendore, do të kenë mandat 3-vjeçar.

Me një karrierë gati 19 vite në Policinë e Shtetit, Ilir Proda që së fundmi mbante postin e drejtorit të policisë Elbasan, do të drejtojë Policinë e Shtetit. Proda ka nisur rrugëtimin e tij në uniformat blu në vitin 2005 fillimisht si specialist i policisë kriminale në komisariatin nr. 3.

Më pas, për shumë vite ka shërbyer si specialist në komisariate dhe në drejtorinë e përgjithshme. Në 2013 ai emërohet shef komisariati, detyrë të cilën e mbajti gati një vit dhe dy vite të tjera, deri në vitin 2016 shërbeu si shef i komisariatit të Bulqizës. Në korrik të vitit 2019 pasi merr gradën kryekomisar ai emërohet zv. drejtor për hetimin e krimeve në Korçë. Ndërsa në 2021 emërohet në po të njëjtën detyrë në policinë e Elbasanit. Në mars të vitit 2023, pasi mori gradën drejtues, ai u emërua drejtor i policisë Elbasan. Proda ka diplomë avokati dhe master shkencor për të drejtë penale. Po ashtu ka marrë pjesë në kurse e seminare të ndryshme ku është pajisur me certifikatë.

Proda fitoi në këtë garë krah Altin Menës, Ardian Cipës, Neritan Nallbatit dhe Skëndert Hitës që u vlerësuan me më shumë pikë nga Komisioni i Posaçëm.