Dy efektivë të policisë janë pezulluar nga detyra, pasi akuzohen se kanë shpërndarë në media foto nga arrestimi i biznesmenit Ergys Agasi.

Mësohet se bëhet fjalë për dy efektivë të forcave speciale “Shqiponja”, të cilët ishin pjesë e aksionit për ndalimin e të shumëkërkuarit Agasi. Në fotot e shpërndara, Agasi shfaqej brenda mjetit të policisë pas ndalimit, e po ashtu brenda zyrtave të drejtorisë së policisë në Tiranë.

Ergys Agasi, u arrestua nga policia në zonën e Plepave në Durrës, pasi u lokalizua fillimisht në Elbasan. Bashkë me të u prangos edhe ish-efektivi i policisë, Uljan Shpataraku. Agasi akuzohet se në bashkëpunim me Ermal Beqirin, i arrestuar pak javë më parë në Francë, krijoi një grup të strukturuar kriminal për manipulimin e tenderëve publikë përmes korrupsionit, dhunës dhe pengmarrjes.