Seanca plenare e Kuvendit të Shqipërisë është shoqëruar sot me tensione dhe përplasje verbale mes deputetëve të opozitës dhe mazhorancës. Deputeti i Partisë Demokratike, Flamur Noka, ka akuzuar mazhorancën për blerje votash në zgjedhjet e 11 majit, duke theksuar se “kur opozita thotë të vërtetën, ju alarmoheni”.

Situata u përshkallëzua në momentin kur kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, i kërkoi Nokës të lëshonte foltoren për t’i dhënë fjalën deputetit Oerd Bylykbashi. Sipas Rregullores së Kuvendit, ndërhyrjet jashtë radhe lejohen vetëm për çështje procedure, por Noka refuzoi të largohej dhe bllokoi foltoren.

Për pasojë, Spiropali vendosi përjashtimin e deputetit demokrat nga seanca dhe ndërpreu punimet për pesë minuta për të qetësuar situatën.

“Ta dhamë fjalën 3 herë nuk fole për procedurë. Të përshëndes. Do e lësh Bylybashkin të flasë për raportet e OSBE-ODIHR se i di më mirë këto punë? Ej ka mundësi, hajd largohu je i përjashtuar nga seanca. Nuk ka nevojë për Gardën. Nuk duroj këtu as fyerje as zaptim foltoreje”, tha ajo, ndërsa njoftoi ndërprerë seancës.