Policia ka vendosur në pranga Xhelal Rrajën, vëllain e ish-deputetit të PS-së Rrahman Rraja.

Xhelal Rraja ishte shpallur në kërkim, pasi gjykata i kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, në vijim të operacionit “Revanshi”, për pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal dhe për sigurim të kushteve për të kryer vrasje.

Xhelal Rraja akuzohet për sigurim të kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje në dëm të Arben Ndoka, e kryer në bashkëpunim në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, dhe pjesëmarrje në grup kriminal. Ndoka do të vritej gjatë ngushëllimit të vdekjes së një gjyqtari.

Ai po ashtu akuzohet si një nga organizatorët e dhunës barbare ndaj Bilbil dhe Jashara Maja, më 8 korrik 2023, në një lokal në aksin Fushë Krujë – Thumanë. Për këtë akuzohet edhe vetë ish-deputeti Rrahman Raja dhe djali i tij, Rexhep Rraja.

Videoja ku shfaqej dhuna barbare e cila ishte filmuar nga vetë anëtarët e fisit Rraja duke u ndjerë të paprekshëm dhe provë për ti treguar të tjerëve sesi do të ishte fundi nëse ankohen për guroren e tyre në Borizanë shokoi mbarë shoqërinë. Në video dëgjohet dhe një zë që nxit anëtarët e fisit Rraja ti dhunojnë egërsisht edhe më fort Bilbil dhe Jashar Majën. “Vrite!.. Vrite!” “Bjeri! Bjeri! “Më fort më fort!”- dëgjohet një zë ndërsa Rexhep Rraja, djali i deputetit Ramazan Rraja, godet me shkop gome Bilbil Majën i cili ka rënë pa ndjenja në verandën e lokalit. Nga ana tjetër i vëllai i deputetit, Flamur Rraja i drejton pistoletën në kokë.

Njoftimi i policisë:

Pas një pune të mirëfilltë hetimore, është bërë e mundur kapja e shtetasit në kërkim Xh. Rr.

Xh. Rr. ishte shpallur në kërkim, pasi gjykata i kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, në vijim të operacionit “Revanshi”, për pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal dhe për sigurim të kushteve për të kryer vrasje.