Është publikuar foto e 21-vjeçarit portugez që u vra tnë Ksamil në orët e para të mëngjesit të djeshëm. Luis Miguel Varela Mendes ishte duke kaluar pushimet në Ksamil, kur u përfshi në një konflikt të dhunshëm, që do i merrte dhe jetën.

Ngjarja u zbulua rreth orës 05:15 pranë ambientit të resortit “Principote”, ku trupi i pajetë i të riut u gjet mbi shezlongë. Sipas ekspertizës mjeko-ligjore, 21-vjeçari ka pësuar disa goditje me thikë në shpinë dhe kraharor, të cilat i morën jetën menjëherë. Hetimet e para të policisë sugjerojnë se përleshja ka nisur për motive të dobëta pas një feste në zonë, ku një nga pistat kryesore lidhet me një konflikt për një vajzë.

Autor i dyshuar i vrasjes është 29-vjeçari Sokrat Vata, me origjinë nga Hasi, i cili punonte si roje plazhi në të njëjtin resort. Pas krimit, Vata u largua me shpejtësi, por u arrestua pas disa orësh kërkimesh në Levan të Fierit, ku po tentonte të fshihej brenda bagazhit të një automjeti që drejtohej nga një grua.

Lidhur me këtë ngjarje, Policia e Shtetit ka vënë në pranga autorin e dyshuar si dhe ka shoqëruar e arrestuar 10 persona të tjerë, të cilët akuzohen për bashkëpunim dhe moskallëzim krimi. Vrasja e turistit të huaj ka rikthyer shqetësimet mbi nivelin e sigurisë në zonat më të frekuentuara turistike të Shqipërisë.