Qeveria ka miratuar sot vendimin për mbylljen e aksesit në rrjetin social “Tik Tok” për 12 muaj.
Lajmin e ka bërë të ditur ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Ogerta Manastirliu, e cila foli pas mbledhjes së qeverisë. Sipas saj, ka nisur tashmë komunikimi me kompaninë, për pezullimin e aksesit në këtë rrjet social në vendin tonë, për një periudhë 12 mujore.
Ministrja tha se është një vendim që ka në fokus interesin e fëmijëve dhe sigurinë publike në mjedisin dixhital.
“Kemi rekomanduar kufizimin e aksesit të TikTok në një periudhë 12 mujore për marrjen e masave. Tashmë kemi nisur komunikim me përfaqësuesit e kompanisë që zotëron TikTok. Siç e dini, kemi zhvilluar një seri të gjerë konsultimesh me prindërit, në 1300 takime të realizuara për sa i përket efektve që lidhje me sigurinë e fëmijëve në mjedisin digjital dhe efektet negative të rrjeteve sociale që mund të sjellin në shëndetin dhe mirëqenien psikoemocionale të tyre. 65 mijë prindër ishin dakord për këtë vendim.“- u shpreh Manastirliu.