Nga sheshi Skëndërbej, aty ku nisi fushatën për fitoren historike të 11 majit, kryeministri Edi Rama falënderoi të gjithë shqiptarët për besimin që i dhanë për të udhëhequr Shqipërinë edhe për një mandat të katërt .I shoqëruar nga familja e tij, Rama u ngjit në të njëjtin ‘yll’ që simbolizon atë të Bashkimit Europian për të mbajtur fjalimin e fitores, së cilës i vendosi notën 10.
Duke e konsideruar marrjen e mandatit të katërt si sfidën më të madhe ndonjëherë, kryeministri premton që të çojë deri në fund zotimin e tij për të vënë karrigen e Shqipërisë në tryezën e Bashkimit Europian. Kreu i qeverisë tha se “populli i ka transformuar zgjedhjet politike në një referendum për bashkimin sa më parë të Shqipërisë me Evropën.”
Për Ramën, “mes dritës së Europës dhe errësirës së gropës së një kapeleje fake, Shqipëria zgjodhi yjet. Mes ngjitjes në majë dhe rënies në humnerë, Shqipëria zgjodhi ngjitjen”, ndërsa theksoi se “ky popull nuk ka për të ndryshuar qeverinë që ka, pa ndryshuar më parë opozitën që nuk do.”
“Për një sfidë më të madhe se asnjëherë më parë. Në katër vjet mbollëm ende më shumë besim te Shqipëria, ne mbollëm ende më shumë shpresë për Shqipërinë.
Shqipërinë europiane po e ndërtojmë gurë pas guri prandaj mblodhëm votat. Këto zgjedhje përballën Shqipërinë që di çfarëdo, dhe kë nuk do. Shqiptarët zgjodhën mes një Shqipërie gjithnjë më të mirë, dhe një Shqipërie të përgojuar me sy të nxirë nga grushtat e urrejtjes politike.
Mes dritës së yjeve të europës dhe errësirës së gropës së një kapeleje fake, Shqipëria zgjodhi yjet”-tha Rama në nisje të fjalës.
