Shqipëria ka shpallur “njeri të padëshirueshëm” Igballe Hudutin. Vendimi është marrë nga minsitri i Brendshëm, Besfort Lamallari dhe vlen për një periudhë 15-vjeçare.

Mësohet se motivi i këtij vendimi bazohet në informacionet e grumbulluara, sipas së cilave, veprimtaria e kësaj shtetaseje vlerësohet si kërcënim për vendin, sigurinë kombëtare, si dhe rendin e sigurinë publike.  Urdhri i Ministrit të Brendshëm Lamallari i është dërguar për zbatim Policisë së Shtetit dhe strukturave të Drejtorisë së Kufirit dhe Migracionit. Gjatë ditës së sotme edhe kryeministri Edi Rama pati një reagim ndaj saj, lidhur me përfshirjen në protestat në Tiranë, teksa e akuzonte për lihje me regjimin iranian. Kryeministri Rama ka publikuar edhe një foto të saj krah ish-presidentit iranian Mahmoud Ahmadinejad.

“Shikojini vetë dy fotot. Është i njëjti personazh i ardhur me karvanin e “diasporës” së shtirur, që në emër të Allahut predikon urrejtje, thërret për kryengritje ndaj qeverisë së Shqipërisë, kërkon hakmarrje ndaj Amerikës për vëllaun e vrarë, kasapin e regjimit të Teheranit, gjeneralin famëkeq Kasem Sulejmani. Dhe po, personazhi në krah të saj është Ahmedinegjadi dora vetë, kryeshërbëtori famëkeq i ajatollahëve të errësirës”, shkruante kryeministri..