Një përplasje fizike ka ndodhur në Elbasan mes mbështetësve të kandidatëve të ndryshëm që garojnë nën siglën e “Shqipërisë Madhështore”. Ngjarja ndodhi gjatë një aktiviteti elektoral që PD po zhvillon në Elbasan sot, ku simpatizantët shihen duke u rrahur me njëri-tjetrin.
Nga kjo përplasje janë regjistruar dhe pasojat e para, teksa djali i deputetit Luçiano Boçi, Parid Boçi ka përfunduar në spital. Raportohet se ai ka marrë goditje në kokë, gjatë sherrit të dhunshëm.
Njoftimi i policisë:
Elbasan/ Djali i deputetit Luçiano Boçi ka mbetur i plagosur në kokë gjatë incidenteve të mitingut elektoral në Elbasan.
Konfirmohet se ndodhet në Spitalin Rajonal të Elbasanit për mjekim. Ka një çarje në kokë, por pa pasoja serioze. Policia e Elbasanit po kryen veprimet proceduriale dhe po punon për zbardhjen e ngjarjes. Nga informacionet e deritanishme incidenti ka ndodhur për shkaqe banale mes militantëve të PD, gjatë mitingut përmbyllës.


