Gjykata e Tiranës ka vendosur ditën e sotme dënimin me burgim të përjetshëm për Dan Hutrën, autor i vrasjes së 3 grave në Tiranë.

Dan Hutra u dënua me 3 burgime për jetë për vrajsen e Mevlute Sadikut, Hasime Dafkut dhe Etleva Kurtit, duke miratuar kështu kërkesën e Prokurorisë që kërkoi më 9 maj dënimin me tre burgime të përjetshme për vrasjen e tre grave, të cilave ai u mori jetën brenda një ore.

Siç u shpreh prokurori, Dan Hutra duhet të shpallet fajtor dhe të marrë burgim të përjetshëm për vrasjen e Mevlute Sadikut, një dënim të dytë të përjetshëm për vrasjen e Hadime Dafkut dhe të tretin për vrasjen e Etleva Kurtit, e cila ishte motra e një tjetër të burgosuri, identifikuar si Vladimir Kurti. Edhe për plagosjen e nënës së saj, Kujtime Hysa, prokurori kërkoi 35 vite të tjera burgim, ndërsa 30 vjet dënim u kërkuan edhe për plagosjen e Marjona Gurakuqit.

Masakra e Dan Hutrës ndodhi në mars 2023, ku tre grua u vranë dhe tre të tjera u plagosën nga 42-vjeçari, i cili kishte pak kohë që kishte dalë nga burgu.

Ai fillimisht kreu plagosjen me thikë në zonën e Astirit dhe më tej, gjakftohtë, udhëtoi drejt zonës së Paskuqanit, ku qëlloi me armë zjarri fillimisht në banesën e prindërve të ish-bashkëjetueses dhe më pas në familjen e një të burgosuri që e kishte njohur në Drenovë.

Dan Hutra kishte bërë më herët burg për vrasjen e një tjetër gruaje, Dafina Havalha, e cila ishte bashkëshortja e tij e parë. Ai doli nga burgu në shkurt 2023, pasi ishte dënuar për dhunë në familje, dhe iu desh vetëm një muaj kohë për të përgatitur masakrën.