Ka mbërritur në aeroportim e Rinasit aktivisti Baki Goxhaj, i cili ishte ndaluar nga Izraeli teksa po tentonte të dërgonte ndihma në Gaza së bashku me aktivistë të tjerë.
Goxhaj ishte pjesë e flotiljes “Sumud”, së bashku me persona të tjerë, e cila u ndalua dhe u mbajt për disa orë nga autoritetet izraelite. as mbërritjes në vendit tonë përmes Turqisë, për rreth 2 orë ai ka qëndruar në komisariatin e Rinasit, ku është marrë në pyetje. Ai ka deklaruar se flotilja u ndalua në ujëra ndërkombëtarë, teksa pretndon se është qëlluar edhe me armë nga autoritetet izraelite.
“Unë jam nga Vlora dhe vitet e fundit jam angazhuar si aktivist për çështjen palestineze, për t’i dhënë fund gjenocidit dhe për zgjidhjen e kësaj çështjeje që po zgjat prej 80 vitesh si një plagë e hapur në botën moderne. Organizata që merret me organizimin e flotiljes është online dhe ka hapur aplikime për t’u bërë pjesë e flotiljes. Edhe unë, pasi u informova, ndoqa procedurat për t’u bërë pjesë e saj. Rreth 10 ditë më parë u nisëm. Ne ishim në ujëra ndërkombëtare kur pamë disa anije të mëdha dhe dy skafe të fuqishëm që po afroheshin. Pavarësisht përpjekjeve për t’u larguar, nuk ishte e mundur. Duke u afruar, na kërcënuan dhe qëlluan me armë; nuk e di nëse ishin plumba të vërtetë.
Hipën në anije, na lidhën duart të gjithëve; mua më lidhën edhe sytë, sepse isha pak i zëshëm duke kërkuar të na lironin. Na morën zvarrë dhe na çuan në një anije të madhe të sajuar me kontejnerë, ku kemi qëndruar 2 ditë e 2 net si bagëti. Në anije kishim vetëm ujë për të pirë dhe bukë të thatë. Kam qenë aty dhe e kam parë me sytë e mi; kam dëgjuar një vajzë palestineze jo shumë larg meje që më pas u dhunua. E kam parë gjithë skenën”-, tha Goxhaj.
