Ka ndërruar jetë ditën e sotme në Reanimacionin Qendrorë të Spitalit “Nënë Tereza” 15 vjeçari E.B, i cili vetëm 7 ditë më parë është plagosur pas një sherri të nisur në rrjetin social Tik Tok.

Nga njoftimi zyrtar që ka siguruara Gazeta Shqip, bëhet me dije se i mituri kishte plagë në trup e pranë zemrës, çka ka rezultuar fatale për të

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 14:00 thuajse 1 javë më parë, vetëm 20 minuta në këmbë nga shkolla “Dom Nikollë Kaçorri”, ku mësojnë të dy nxënësit e përfshirë në konflikt.

Ne Reanimacionin Qendrore te Spitalit Nene Tereza, ka ardhur nga qyteti Durresit 7 (shtate) dite me pare per ndihme mjeksore shtetasi i mitur E.B. 15 vjec, i cili kishte nje plage ne trup ne pjesen e gjoksit, goditje me thike. Dhe per pasoje diten e sotme ka nderruar jete. Ne lidhje me kete problematike u njoftua ambulanca morgut, si dhe DVP, Durres. Po kryhen veprimet hetimore”– thuhet në njoftimin të siguruar nga Gazeta Shqip.

Ndëkohë kujtojmë se konflikti ka nisur pas një komenti në rrjetet sociale dhe një përballje mes dy gjimnazistëve brenda shkollës dhe ka bërë që adoleshentët të lënë një takim “sqarimi” pas shkolle, i cili përfundoi në përplasje të dhunshme.

Nxënësit kanë qenë në mësim një ditë më parë normalisht, sipas burimeve nga shkolla. Të dyja palët kanë mbërritur në vendin e takimit të shoqëruar secili me nga tre deri në katër shokë. Fillimisht mes tyre ka nisur një debat me tone të ashpra dhe fyerje të ndërsjellta, por situata është përshkallëzuar shpejt.

Në konflikt janë përfshirë rreth tetë gjimnazistë të ndarë në dy grupe, ku janë përdorur mjete të forta, shkopa bejzbolli dhe armë të ftohta, duke e kthyer skenën në një përleshje të rrezikshme.

Nga ana tjetër në një deklaratë për mediat ditën kur ndodhi ngjarja mjeku Shini tha se sapo i mituri ka mbërritur në spital është ndërhyrë për të stabilizuar situatën dhe më pas 15-vjeçari është intubuar.

“Pacienti ndodhet në reminacion i intubuar. Gjendja vazhdon të jetë e rëndë. Shpresojmë që në 24-48 orët e ardhshme të stabilizohet dhe të dalë nga intubimi. Fëmija erdhi në urgjencë me disa plagë, 4 në gjoks, njëra prej të cilave depërtonte zemrën në 2 nivele dhe duke shkaktuar gjendjen e shokut. U ndërhy menjëherë, u lirua zemra dhe gjendja u stabilizua menjëherë. Ka marrë në sallë 3 flakon gjak dhe vazhdon gjendja e rëndë në reminacion”, tha mjeku.