Një ngjarje e rëndë ka tronditur kryeqytetin në orët e para të mëngjesit të kësaj të diele, ku një punonjës policie është gjetur i pajetë në banesën e tij në zonën e Freskut.
Sipas informacionit paraprak të Policisë së Shtetit, rreth orës 01:25, shtetasi me inicialet I.S., 30 vjeç, dyshohet se i ka dhënë fund jetës duke përdorur armën e shërbimit.
“Me datë 14.06.2026, rreth orës 01:25, në Fresk, në banesë, dyshohet se është vetëvrarë me armën e shërbimit shtetasi I.S., 30 vjeç, punonjës policie”, thuhet në njoftimin paraprak të policisë.
Në vendngjarje kanë mbërritur grupi hetimor dhe përfaqësues të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, të cilët, nën drejtimin e Prokurorisë, po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Deri më tani nuk janë bërë të ditura shkaqet që mund ta kenë çuar 30-vjeçarin drejt këtij akti tragjik.
Tiranë/Informacion paraprak
Më datë 14.06.2026, rreth orës 01:25, në Fresk, në banesë, dyshohet se është vetëvrarë me armën e shërbimit shtetasi I. S., 30 vjeç, punonjës policie.
Grupi hetimor në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore dhe nën drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për sqarimin e rrethanave të rastit.
