Misteri rreth vrasjes së biznesmenit italian Edoardo Sarchi, 44 vjeç, administrator i fabrikës së tullave italo-shqiptare “Tegola Edilcentro”, vijon të thellohet.
Policia bëri të ditur se ka lënë të lirë Eqerem Braçin, ortakun e Sarchit, i cili u shoqërua së bashku me dy djemtë e tij menjëherë pas ngjarjes. Ata ishin persona që e shoqëronin biznesmenin për gjah në natën e krimit.
Sipas burimeve, dëshmia e tyre ka bindur hetuesit. Braçi dhe djemtë kanë deklaruar se edhe jeta e tyre u rrezikua njësoj si e italianit, pasi një automjet në lëvizje hapi zjarr ndaj tyre. Në dëshmi, thuhet se Sarchi u qëllua me breshëri kallashnikovi, ndërsa pjesa tjetër e grupit arriti të largohej duke u fshehur.
Mediat italiane ndërkohë theksojnë se fabrika e tullave në Shqipëri u themelua nga xhaxhai i viktimës, Augusto Nidoli, ndërsa Edoardo kishte marrë drejtimin e saj vite më parë. Në Itali, familja Sarchi është e njohur për lidhjet me politikën, pasi babai i tij, Vittorio Sarchi, ka shërbyer për vite me radhë si këshilltar bashkiak në provincën e Varese-s.
Hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes tragjike janë ende në vijim, ndërsa policia po punon për identifikimin e autorëve që qëlluan ndaj grupit të gjuetarëve.